Tensionet SHBA-Rusi

11/08/2013 17:50

Edhe përpara çështjes “Snouden”, marrëdheniet SHBA-Rusi ishin në telashe.

Ndërveprimi dhe gjuha e trupit mes Barak Obamës dhe Vladimir Putinit, në samitin e G8 që u zhvillua në Irlandën e Veriut, në qershor, ishin dukshëm të tensionuara.

Në analizën e saj, korrespondentja e BBC-së në Uashington, Kim Gatas, flet për ftohtësinë e marrëdhenieve mes Uashingtonit dhe Moskës.

Duke ndaluar pikërisht në takimin e G8-s, të dy udhëheqësit dukeshin të heshtur dhe të ngrysur, por për kamerat bënë diçka; thanë disa fjalë dhe vunë buzën në gaz, me mundim.

“Pavarësisht përpjekjeve për të ristartuar marrëdhënien, në fillim të mandatit të parë të Obamës, dhe për të shënuar progres për disa çështje, SHBA dhe Rusia mbeten të ndara për çështje si mbrojtja raketore apo reduktimi i arsenalit bërthamor”.

Pavarësisht dallimeve të pranuara, punojnë së bashku për Iranin dhe Korenë e Veriut, apo çështje të tjera botërore.

Ata janë përplasur hapur për Sirinë. Prej nisjes së luftës në Siri, në vitin 2011, mbështetja e Rusisë për presidentin Bashar Al Asad dhe vendosja e Amerikës krah kryengritësve rizgjoi dinamikën më të keqe të Luftës së Ftohtë mes dy fuqive, si dhe i dha Moskës fushëbetejën alternative për të zemëruar Perëndimin.

Dhe kjo u ngurtësua me kthimin e Putinit në Presidencë, në maj të 2012. Duke mos pasur asnjë progres për çështjet e mbetura pezull, atëherë përse të zhvillohej një takim presidencial i nivelit të lartë?

Ndërsa Putin dukej i zellshëm, sepse do të ndodhte në shtëpinë e tij, ai nuk ofroi asgjë në këmbim, veç një tjetër goditje për marrëdhëniet mes tyre.

Pas vendimit për t’i dhënë azil Eduard Snoudenit, u bë e pamundur për Shtëpinë e Bardhë ta justifikonte takimin, veçanërisht përballë audiencës amerikane.

Obama është kritikuar nga republikanët se ka qenë i butë me Rusinë, veçanërisht pasi u zbulua biseda e fshehtë mes tij dhe Dimitri Medvjedev, për t’i kërkuar Putinit më shumë hapësirë, pas zgjedhjes së tij si president i Rusisë.

Por, viktima e vetme e përplasjeve mes Rusisë dhe SHBA-ve do të jetë Siria. Administrata Obama vazhdon të besojë një zgjidhje politike të konfliktit dhe asgjë s’mund të arrihet pa Moskën.

Por, edhe kur diskutojnë rreth tij, ata janë larg zgjidhjes. Në vitin 2009, kur Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, i prezantoi homologut rus, Sergei Lavrov, butonin që simbolizonte rinisjen e marrëdhënieve, nje gabim në përkthimin në gjuhën ruse e zëvendësoi fjalën rinisje, me mbingarkesë.

Katër vjet e gjysmë më vonë, “mbingarkesë” duket fjala e duhur për të përshkruar marrëdhëniet amerikano-ruse.

Top Channel