SHQUP-i, ish-pronarët kundër

11/08/2013 15:10

Myrshit Vorpsi, anëtar i kryesisë së Shoqatës “Pronësi dhe Drejtësi”, në një intervistë për Top Channel, kritikon ashpër vendimin e qeverisë për tjetërimin e pronave të Ushtrisë, pasi, sipas tij, me këto prona mund të ishin kompensuar një pjesë e pronarëve.

“Publikimi i privatizimit të pronave të Ushtrisë është një proces që ka filluar diku nga marsi i këtij viti. Madje në vigjilje të fushatës elektorale ishte e pakuptueshme, sepse qeveria thoshte se do të hidhte për privatizim rreth 1 mijë hektarë tokë të ish-reparteve ushtarake. Ishte tërësisht e pakuptueshme, ashtu siç ngelet edhe sot e kësaj dite e pakuptueshme, sepse qeveria, më mirë se kushdo tjetër, e dinte fare mirë vendimin e Gjykatës së Strasburgut, në rastin e çështjes Puto e të tjerë, ku shteti shqiptar, pikërisht për kompensimin e pronarëve, u dënua me një shifër prej 3,2 milionë eurosh, që edhe sot e kësaj dite nuk janë paguar ende. Pra, të thuash në këtë moment, kur ke parasysh më mirë se gjithë të tjerët, që ke një detyrim prej rreth 7300 hektarë tokë për t’i kompensuar pronarëve, se do të hedhësh për privatizim 1000 hektarë tokë, truall të reparteve ushtarake, dhe këtë fond tokash të mos e kalosh për kompensimin fizik të pronarëve, është një veprim, që në rastin më të mirë mund të quhet i pakuptueshëm. Nuk ka sens”, tha Vorpsi.

Duke u ndalur te dhënia e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë për seli të Partisë Demokratike, Vorpsi ka deklaruar se prona në fjalë është e familjes Toptani.

“Në dijeninë tonë, ai territor është pronë e Toptanasve. Nëse ka një vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave, që është shprehur për atë pronë të Toptanasve, ne nuk e dimë. Ndoshta mund të pyeten vet Toptanasit. Por, të ndërmarrësh një hap të tillë tani, kupton që ka një ngarkesë negative”, shtoi më tej Vorpsi.

Për sa i takon qeverisë së re, që vjen në shtator, Vorpsi thotë se tashmë strategjia për kompensimin e pronarëve duhet të ndryshojë, jo vetëm pas shumë vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, por edhe pas rekomandimeve të BE-së për marrjen e statusit kandidat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA