Pas ngjarjeve me familjet rome reagoi edhe kompania “Park Construction Albania shpk”.

Në një deklaratë të saj thuhet se ajo po investon për ndërtimin e një objekt banimi konform të gjitha rregullave, që i imponon legjislacioni shqiptar.

Brenda këtij territori gjendeshin objekte portative banimi, shumica e të cilave konstruksion dërrase. Kompania kontaktoi anëtarët e komunitetit rom, duke u bërë të ditur planet e saj për zhvillimin e zonës dhe duke u kërkuar zhvendosjen, thuhet në deklaratë.

Pas këtij komunikimi, romët iu drejtuan Avokatit të Popullit më 2 korrik dhe i kërkuan ndihmë, ndërsa një ditë më pas kompania i dërgoi këtij institucioni dokumentacionin, që përfshin procesverbalin e dorëzimit të truallit, kontratën e shit-blerjes, çertifikatën e pronësisë dhe prokurën e posaçme, që pronarët e tokës i japin shoqërisë sonë të merret me zhvillimin e zonës.

Pasi kryen dorëzimin e kësaj praktike, kompania nisi komunikimin verbal me banorët dhe, në konsensus të plotë, ata ranë dakord të nisin çmontimin e strukturave portative dhe zhvendosjen, thuhet gjithashtu në deklaratë.

4 prej familjeve rome, që jetonin në kapanon, që ishte në pronësi të pronarëve, mbuluar me strukturë hekuri, kërkuan që hekurin e strukturës ta merrnin me vete, që ta shisnin më pas.

Kompania u tha se mund ta merrnin dhe për këtë u vu në dispozicion një eskavator. Në momentin që ky nisi punën vjen policia, e cila ishte informuar në mënyrë të gënjeshtërt se po prisheshin godinat.

Policia hetoi në terren dhe pyeti këto 4 familje, të cilat i thanë policisë se ishin tërësisht dakord me atë që po ndodhte, thuhet në deklaratën e “Park Construction”.

Kompania, në deklaratën e saj, akuzon Avokatin e Popullit dhe media të caktuara, se në mënyrë të qëllimshme kanë manipuluar deklaratat dhe opinionin publik. Kompania “Park Construction Albania” dëshiron të sqarojë se, emri i përfolur i Mihal Delijorgjit në media të caktuara është bërë në mënyrë abuzive, jashtë kontekstit real dhe denigruese.

Mihal Delijorgji është një i punësuar pranë shoqërisë “Park Construction Albania” dhe nuk ka asnjë tagër pronësie, as mbi truallin, as mbi godinën dhe as mbi kompanitë investuese.

Aktualisht, kompania ka administruar të gjitha kronikat televizive dhe botimet në shtypin e shkruar dhe është duke konsultuar zyrën e vet juridike, për të marrë masa ligjore ndaj mediave, që e manipuluan opinionin publik, duke e denigruar imazhin e kompanisë dhe të Mihal Delijorgjit, si i punësuar i kompanisë sonë, përfundon deklarata e “Park Construction Albania”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA