Pavarësisht thirrjeve të Avokatit të Popullit dhe “Amnesty International”, situata me komunitetin rom këtu në Tiranë vijon të qëndrojë e njëjtë. Ata janë larguar nga barrakat, ku kanë jetuar deri dje, e tani janë zhvendosur në trotuar, ku kanë improvizuar këto barraka, për të jetuar e për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta.
Askush prej këtyre banorëve rom nuk e di se si do të jetë e ardhmja e tyre. E vetmja gjë, që ata pohojnë, është se për momentin akomodimi i tyre janë këto minitenda të improvizuara në trotuar.
Ata kanë lënë barrakat mbrëmjen e së shtunës, ndërsa pak të tjerë që kanë mbetur, janë duke mbledhur ato pak sende për t’iu bashkuar atyre.
Kjo grua e moshuar, e ulur mbi këtë divan, anash saj ka një flamur të BE-së, institucion që i kërkon Shqipërisë, në rekomandimin e 12, pikërisht respektimin e të drejtave të saj.
Pa asnjë lloj kushti minimal jetese, këta njerëz, në mes të kryeqytetit shqiptar, të vetmen mbrojtje të dukshme që kanë është Policia Bashkiake, e cila është stacionuar anash rrugës.
Jashtë kamerës, romët thonë se e ardhja e tyre lidhet më shumë me të zënit e trotuarit, se sa përkujdesja. Ndërsa kjo grua na tregon ilaçet dhe thotë se e ka lënë spitalin disa ditë më parë.
Tani, asaj do t’i duhet t’i kalojë ditët në të tilla kushte, së bashku me nipin e saj, që ka ardhur në jetë 3 javë më parë.
Më minimalja, që ata kërkojnë, është një zonë e re për të ndërtuar barrakat e tyre, kërkesë së cilës nuk është duke iu përgjigjur askush.
Totozani, tjetër thirrje
“Të drejtat e romëve, kusht për statusin e vendit kandidat në BE”
“I kërkojmë Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta, që nëpërmjet shërbimeve të tyre sociale dhe programeve për strehim dhe ndihmë, të paraqiten urgjentisht pranë familjeve të dëbuara, për të njohur dhe administruar nevojat emergjente të pjesëtarëve të tyre. I kërkojmë këtyre dy institucioneve dhe stafeve respektivë, të marrin urgjentisht masa të shpejta për të siguruar ndihmën e nevojshme emergjente dhe komplekse për këto familje”, deklaroi në një konferencë për shtyp, Igli Totozani, Avokat i Popullit.
Top Channel