Radhë të gjata janë krijuar gjatë 12 orëve të fundit në Kakavijë, pasi fluksi i madh i emigrantëve që vijnë në vend ka përkuar me ngadalësinë në procedimin e dokumentacionit të kalimit të kufirit nga pala greke.
Kështu, gjatë orëve të mbrëmjes, në anën tjetër të kufirit punohej me një sportel dhe gjatë paradites me vetëm tre, pavarësisht numrit në rritje të emigrantëve që i drejtohen shtëpisë gjatë muajit të gushtit.
Gjatë kësaj vere, numri i emigrantëve të rikthyer në Shqipëri ka qenë më i ulët se në vitet e tjera deri tani, për shkak të problemit të emërtimeve të vendlindjeve greke të fëmijëve shqiptarë, por ditën e shtunë u njoftua se Athina ka vendosur të pranojë emërtimet aktuale në pasaporta deri në datën 5 shtator.
Diçka e tillë duket se ka inkurajuar emigrantët që të vijnë të kthehen të shumtë në Shqipëri, por për fat të keq, ata duhet të përballen me vonesa të panevojshme aktualisht në pikën kufitare të Kakavijës.
Top Channel