Papa përshëndeti muslimanët

11/08/2013 20:20

Në lutjen tradicionale të ditës së diel, Papa Françesku nuk harroi të përshëndesë besimtarët muslimanë, pak ditë nga mbarimi i Ramazanit.

Ai i thirri ata “vëllezër” dhe uroi që, të krishterët dhe muslimanët të angazhohen bashkarisht për nxitjen e respektit reciprok, në mënyrë të veçantë nëpërmjet edukimit të brezave të rinj.

Përpara 40 mijë besimtarëve, që mbushën sheshin Shën Pjetër, Ati i Shenjtë kujtoi se “në jetë duhet ecur përpara me dashuri, me atë dashuri që Zoti na ka mbjellë në zemër. Ky është thesari i vërtetë”.

Shenjtëria e Tij pati tërhequr vëmendjen ditën e shtunë, me një mesazh të dërguar nëpërmjet rrjetit social Twitter.

“Jemi enë balte të brishta e të varfra, ku mbajmë brenda thesare të pafund”. Pak fjalë, por me domethënie të madhe, në stilin tanimë të njohur të Papa Françeskut.

Përveç mënyrave tradicionale të komunikimit, ai përdor rregullisht edhe ato moderne, me një ndryshim të madh nga paraardhësi i tij, Benedikti i 16-të, hyrja e të cilit në rrjetet sociale u cilësua nga specialistët si një katastrofë në fushën e komunikimit.

Rrjeti social Twitter konfirmoi se profili i Papa Bergoglio-s ndiqet nga 8 milionë persona dhe është një prej personaliteteve më të ndjekur në botë, përkrah Barak Obamës.

Por jo vetëm kaq, mesazhet e tij përcillen nga një numër shumë i madh personash të regjistruar në këtë rrjet, duke krijuar kështu një jehonë të paparë në të gjithë botën, për çdo mesazh të Atit të Shenjtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA