Obama, me pushime dhe në punë

11/08/2013 17:30

Presidenti amerikan dhe familja e tij do të pushojnë për një javë në ishullin Martha’s Vineyard, në brigjet e oqeanit Atlantik. Por, megjithë këtë shkëputje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se “për Barack Obama-n nuk ka pushim të mirëfilltë”.

“Presidenti e priti me gëzim këtë javë pushimesh, për ta kaluar disa ditë me familjen, por fakt është se, kudo që ndodhet, ai mbetet presidenti i Shteteve të Bashkuara çdo ditë, duhet të shpenzojë orë të tëra për t’u informuar për ngjarjet kryesore dhe për të punuar për sfidat që ka përpara”.

Shumë republikanë e kanë kritikuar shefin e Shtëpisë së Bardhë, që zgjodhi të largohej për një javë. Kenneth Walsh, autor i historisë së pikave turistike presidenciale, thotë se “çdo pushim i presidentit amerikan shoqërohet nga kritikat e opozitës”.

Ai thotë se ishulli Martha’s Vineyard njihet për vilat luksoze dhe për restorantet e shtrenjta, që tërheqin klientelë të pasur.

Disa kritikë janë të mendimit se, në kohën kur vendi ka paqartësi për ekonominë dhe buxhetin, apo kur ambasadat amerikane kërcënohen nga sulme të mundshme terroriste, Obama duhet të qëndrojë në Washington.

Thomas Alan Shwartz, profesor në Universitetin Vanderbilt në Nashville të Tennessee, shpjegon se presidentët kalojnë pjesën më të madhe të pushimeve në mbledhje me stafin, për të zgjidhur problemet e vendit.

Barack Obama-s i ka qëlluar shpesh të lërë pushimet, për t’u kthyer në Washington. Kështu i ndodhi dhjetorin e vitit të kaluar. Ai u kthye nga Hawaii, për të përfunduar marrëveshjen me republikanët, që të financohej qeveria federale.

Apo në dhjetor të 2009-s, kur u zbulua një komplot terrorist për të hedhur në erë një avion pasagjerësh. Në gusht të 2009-s, presidenti la pushimet në Martha’s Vineyard për të marrë pjesë në funeralin e senatorit Ted Kennedy.

Sipas Walsh dhe Shwartz, pavarësisht kritikave, çdo president do të kishte nevojë të pushonte. Sipas tyre, Obama ka kaluar më pak ditë pushimesh se paraardhësit e tij.

Top Channel