Ndërtimet pa leje, vijon aksioni
11/08/2013 18:45
Inspektoriati Ndërtimor vijon aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në kryeqytet.
Paraditen e së dielës, ky autoritet ka nisur punën me prishjen e një lavazhi, në rrugën “Shyqyri Ishmi”, pranë Xhamisë së Tabakëve, në njësinë bashkiake nr.1.
Objekti nuk zotëronte leje për zhvillimin e aktivitetit dhe as për ndërtimin e lavazhit.
Objekti tjetër, nën sulmin e këtij aksioni, ka qenë shtesa anësore në katin e tretë të një pallati, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, pranë stadiumit “Dinamo”, pjesë e njësisë bashkiake nr.5.
Autoritete pranë Inspektoriatit Ndërtimor deklarojnë se janë të vendosur për të shembur çdo metër katror ndërtimi, i ngritur pa lejen përkatëse.
Top Channel