Libohova, e lënë në harresë

11/08/2013 16:50

Mjafton të zhvendosesh vetëm 20 km nga Gjirokastra, për të mbërritur në një prej qendrave më të rëndësishme qytetare të Mesjetës: Libohova.

Ajo fillon të grejë krye prej së largu me kalane, që Ali Pashë Tepelena ndërtoi për motrën e tij Shanishanë, një fortesë impresionuese me një pozicion dominues mbi luginë.

E përveç gjurmëve të një qytetërimi të hershëm, në Libohovë gjen kënaqësinë e një oazi qetësie, të ndërtuar nga vetë natyra.

I pasur me burime të shumta ujore, vendi popullohet nga një mori çezmash, të cilat furnizohen prej Zhepës e Lozës. Dhe mrekullia më e çmuar e natyrës këtu është rrapi shumëshekullor, mbi 560-vjeçar. Një qëndresë e fortë, që dëshmon për praninë e një qendre të hershme qytetare. Kurora e tij e gjelbëruar ofron një bukuri dhe freski të rrallë, gjatë verës në Libohovë.

Në qendër të qytetit bien në sy sarajet e bejlerëve të Libohovës, një godinë historike në memorien e qytetit. Studiuesi Vladimir Qirjaqi thotë se Libohova përfaqëson një qendër, që nuk mund të neglizhohet nga operatorët turistikë. Ai argumenton se të qenit jashtë hartës së destinacioneve të vizitueshme, lidhet me mungesën e mjaftueshme të informacionit dhe promocionit.

Një grup turistësh francezë, që e vizitojnë për herë të parë Libohovën, mbetën të impresionuar prej vendeve që kanë vizituar, pranisë së kaq shumë monumenteve përreth dhe ushqimit shumë të veçantë.

“Unë jam këtu me një grup të madh francezësh. Kemi qenë më parë në Voskopojë, pastaj në Përmet, sot ishim në Gjirokastër, në Teqenë e Melanit dhe që andej ecëm rreth 3 orë e gjysmë më këmbë deri këtu. Mendoj se ia vlejti. Më pëlqejnë shumë malet dhe natyra këtu”, tha Quentin Peugeot, turist francez.

“As që e kisha idenë për ekzistencën e këtij vendi më parë. Në fakt, e gjithë Shqipëria është shumë e panjohur për ne. Kur erdhëm këtu, nuk e dinim ç’na priste, por tani jam gati të them se vende si ky meritojnë të jenë turistikë. Ushqimi ishte një prej zbulimeve më impresionuese, që ne gjetëm në Shqipëri dhe në Libohovë”, theksoi Anne de Geofpoy, turiste franceze.

Klodi Sauvagpat jeton prej vitesh në Shqipëri. Ai guidon grupet e turistëve, që preferojnë të bëjnë “hiking” në zona të ndryshme të Shqipërisë. Ai mendon se vetë grupet, që po e vizitojnë këtë vend, mund të ofrojnë edhe promocionin për të, sepse deri tani ka pasur shumë pak informacion për Shqipërinë.

E ndërsa natyra dhe historia kanë lëshuar me bujari gjurmë, që mund ta bëjnë këtë vend me plot fjalën një destinacion turistik, turizmi në këtë vend duket ende në fillesat e tij.

Libohova, e njohur për emrat që i ka dhënë diplomacisë shqiptare, juristët dhe tregtarët e famshëm; një nga ish-qendrat administrative më të rëndësishme të jugut, me rreth 43 dyqane, sot është jashtë hartës së destinacioneve të vizitueshme në jug.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA