Të lindurit në Greqi kalojnë kufirin

10/08/2013 00:00

Me një urdhër të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, i shpërndarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë, lejohet kalimi i të gjithë fëmijeve shqiptarë, pavarësisht problemit me toponimet në pasaportat e tyre, deri më datë 5 shtator.

Vendimi i Ministrisë së Jashtme është konfirmuar për Top Channel nga Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi, i cili ka konfirmuar se mesditën e së shtunës në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Athinë ka mbërritur urdhëri i Ministrisë së Jashtme greke.

Dervishi shtoi se kjo shkresë u është shpërndarë dhe Konsullatave Greke në Shqipëri, duke mundësuar në këtë mënyrë lejimin e kalimit të paktën për 25 ditët e ardhshme deri në zgjidhjen përfundimtare.

Ndërkaq, pretendimet e ngritura, tashmë prej më shumë se një viti nga pala greke se ajo kërkon përdorimin e toponimeve në pasaporta, sipas rregullave të Kombeve të Bashkuara, hidhen poshtë nga vetë kjo organizatë.

E kontaktuar nga Top Channel nëpërmjet e-mailit, zyra e Zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mon, ka pohuar se asnjë traktat apo ligj i Kombeve të Bashkuara nuk parashikon një gjë të tillë.

Sipas përgjegjëses së zyrës, Morana Song, një çështje e tillë  zgjidhet nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe, duke përjashtuar përfshirjen e OKB-së në këtë çështje.

“Zyra e Çështjeve Ligjore në Kombet e Bashkuara deklaron se kjo është një çështje e ligjeve kombëtare të dy vendeve apo  marrëveshjeve rajonale, që përfshijnë të dy shtetet. Konventat mbi marrëdhëniet konsullore nuk përmbajnë ndonjë dispozitë lidhur me çështjen e ngritur. Për këtë arsye, duke iu referuar traktateve dhe konventave të Kombeve të Bashkuara, çështja që ju keni ngritur, nuk parashikohet prej tyre”, thuhet në përgjigjen e OKB-së.

Prej më shumë se një viti Athina ka ndaluar kalimin në kufi të fëmijëve të emigrantëve shqiptar, të lindur në Greqi, ndërsa ka dhënë leje të përkohëshme herë pas here në rast festash apo siç ishin zgjedhjet e 23 qershorit.

Çeshtja e toponimeve ishte pjesë e bisedës edhe në takimet që kryeministri i ardhshëm Edi Rama pati gjatë vizitës së tij në Athinë me homologun Samaras dhe Ministrin e Jashtëm, Venizellos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA