SHBA: Rihapen 18 misione diplomatike

10/08/2013 01:10

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar rihapjen e 18 nga 19 misionet diplomatike të tyre, të mbyllura gjatë fundjavës së kaluar për shkak të kërcënimeve terroriste, gjatë së dielës.

Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se vetëm ambasada e saj në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, do të qëndrojë e mbyllur “për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme mbi terrozimin”.

SHBA-të mbyllën 19 misione diplomatike në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, fundjavën e kaluar, në përgjigje të asaj, që ata e konsideruan si një kërcënim për një sulm terrorist.

Konsullata në qytetin pakistanez të Lahore-s, që u mbyll pas një kërcënimi tjetër pa lidhje me ato të javës së kaluar, do të qëndrojë gjithashtu e mbyllur.

“Do të vazhdojmë të vlerësojmë kërcënimet në Sanaa dhe Lahore dhe do të marrim vendimet përkatëse mbi rihapjen e tyre, bazuar mbi këto informacione”, njoftoi zëdhënësja amerikane e DASH, Jen Psaki.

“Do të vazhdojmë të vlerësojmë gjithashtu informacionet mbi të gjitha bazat tona, në mënyrë që të ndërmarrim hapat e nevojshme e të duhura për të mbrojtur më së miri sigurinë e personelit tonë, shtetasve amerikanë që udhëtojnë në këto rajone, si dhe vizitorët e ambienteve tona”.

Në deklaratë thuhej se ambasada në Sanaa do të mbetet e mbyllur, për shkak të shqetësimeve rreth një “kërcënimi të vazhdueshëm” me prejardhje nga al-Qaeda në gadishullin arabik (AQAP).

Shumica e punonjësve amerikanë në ambasadën në Sanaa janë urdhëruar të largohen nga vendi të martën. Mbyllja e ambasadës, së bashku me alarmin për udhëtimet globale, erdhën pasi SHBA-të raportuan mesazhe të përgjuara mes liderëve të al-Qaeda-s.

Raportimet bënin me dije se mesazhet mes liderëve kryesorë kishin të bënin me një komplot ndaj një ambasade.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA