Meksikë, gjykata liron baronin e drogës

10/08/2013 00:00

Një gjykatë në Meksikë ka liruar baronin e drogës Rafael Caro Quintero, pasi vuajti 28 vjet burg për rrëmbimin dhe vrasjen e një agjenti amerikan.

Gjykata ndërpreu dënimin prej 40 vitesh të Kuintero, për vrasjen e agjentit të administratës së antidrogës, Enrique Camarena.

Trupi gjykues arriti në përfundimin se Quintero, aktualisht 60 vjeç, duhet të ishte gjykuar në një gjykatë shtetërore dhe jo federale.

Vrasja e agjentit të DEA-s cënoi marrëdhëniet SHBA-Meksikë dhe ndryshoi luftën kundër trafikut të drogës.

Caro Quintero ishte arrestuar në Kosta Rikë, në një gjueti të vërtetë njeriu për kapjen e krerëve të karteleve të drogës. Ai ishte një nga tre themeluesit e kartelit të Guadalaharës.

Grupi mendohej të ishte përgjegjës për transportin e shumicës së kokainës që konsumohej në Shtetet e Bashkuara në vitet ’80.

Caro Quintero mund të ishte përballur me akuza të tjera ose një ekstradim të mundshëm në Amerikë, por ai u lirua ditën e premte. Gjithësesi, gjykata nuk e çliroi atë nga akuzat për vrasjen e Camarenas.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se një gjë e tillë do të kishte shkaktuar një skandal të vërtetë, sidomos me agjencitë amerikane të anti-drogës, ku agjenti i vrarë konsiderohet si një hero.

Ndërkohë, autoritetet amerikane, të cituara nga agjencia “Associated Press” dyshojnë se Quintero ka kontrolluar fluksin e parave të drogës edhe prapa hekurave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA