Kryetari i LDk-së, Isa Mustafa kërkon nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga mediat që të zbardhin ngjarjet që u cilësuan si skandale nëpër misionet diplomatike të Kosovës në botë.

Në një konferencë për media, të thirrur për të prezantuar shqetësimet e LDk-së per emigracionin e rinisë kosovare, lideri opozitar shprehu shqetësimet edhe për atë që është prezantuar në media për rastin e zëvendësambasadorit kosovar në Kroaci, Urtak Hamiti, i cili është djali i nënkryetarit të LDK-së Sabri Hamiti.

Mustafa kërkoi që ky rast, por edhe të tjerë të zbardhen, ndërsa i pyetur nëse ngjarje të tilla janë pasojë e nepotizmit, i shtrirë edhe në misione diplomatike, ai vlerësoi se është herët të flitej për këtë fenomen derisa nuk publikohet e vërteta.

“Është mirë të presim të marrim informatat se çfarë ka ndodhur dhe pastaj të japim vlerësimin. Ajo që është transmetuar në media është spektakolare. Kërkojmë nga Ministria e Jashtme që këto gjëra të sqarohen dhe që opinioni publik të informohet”, deklaroi Mustafa.

Duke u ndalur më shumë te situata ekonomike në Kosovë, lideri opozitar vlerësoi se qeveria nuk ka bërë sa duhet për të zhvilluar mirëqënien ekonomike në mënyrë që të ndalet emigraconi i rinisë në vendet perëndimore.

Ai akuzoi qeverinë e Kosovës se ka manipuluar me shifra sa i përket rritjes ekonomike, pasi një tjetër shifër ka dhënë Fondi Monetar Ndërkombëtar e një tjetër qeveria e Kosovës.

“FMN ka konstatuar se rritja ekonomike është 2.5 për qind, ndryshe nga sa ka deklaruar qeveria për 3.9 për qind, që është një rënie shumë e madhe e që ka shkaktuar dhe rënien e importeve. Të gjitha këto shkaktohen nga probleme sociale që shoqërohen me emigracionin e rinisë nga Kosova”, theksoi Mustafa.

I pyetur për gjendjen në komunat të cilat udhëheq partia e tij, kreu i LDK-së tha se nuk ka shifra të sakta të emigracionit të rinisë, por vlerësoi se perspektiva zhvillimore ka rënë sidomos në komunën e Kamenicës, Podujevës dhe Obiliqit.

Ndërsa sa i përket Prishtinës, Mustafa tha se është e vështirë të llogaritet pasi në kryeqytet ndonëse mungon punësimi formal, është i përhapur më shumë punësimi informal.

Mustafa foli edhe për iniciativat e serbëve në veri që të dalin me një listë të vetme në zgjedhje, ide që sipas tij është në kundërshtim me rregullat e garës demokratike.

Top Channel