Kinë-Japoni, rikthehen tensionet

10/08/2013 00:00

Katër anije shtetërore kineze kanë hyrë mëngjesin e së shtunës në ujërat territoriale të arqipelagut të ishullit Senkaku, nën administrim japonez por të pretenduar nga Pekini.

Lajmin e ka bërë të ditur Roja bregdetare japoneze. “U kemi kërkuar anijeve kineze që të largohen nga zona”, ka deklaruar një zëdhënës i marinës.

Varkat kineze po shtojnë depërtimet në këtë zonë që prej javës së kaluar, arsye për të cilën qeveria japoneze thirri për sqarim ambasadorin kinez në Tokio.

Çështja e ishujve Senkaku është kthyer në një “mollë sherri” mes Kinës dhe Japonisë, me të dyja vendet që pretendojnë sovranitetin mbi to.

Vitin e kaluar situata u acarua tej mase, sidomos në Kinë ku u mbajtën protesta masive kundër qeverisë japoneze dhe u sulmuan misionet diplomatike të këtij vendi.

Gjithashtu, përplasja mes dy vendeve goditi edhe tregtinë e markave më të njohura të makinave japoneze në vendin më të madh aziatik, me popullsi mbi 1 miliard banorë.

Top Channel