Bllokohet përkohësisht lëvizja në Kakavijë

10/08/2013 00:00

Në pikën kufitare të Kakavijës u bllokua përkohësisht lëvizja e hyrje-daljeve për shkak të një problemi në anën greke të kufirit.

Sipas informacioneve të policisë kufitare, pala helene pati probleme me sistemin kompjuterik të përpunimit të të dhënave.

Si pasojë e defektit në të dyja anët u krijuan radhë të gjata makinash dhe puna u ndërpre deri në riparimin e defektit dhe tani çdo gjë funksionon normalisht.

Muajin e kaluar, për shkak të një defekti analog qindra qytetarë qëndruan për rreth 8 orë në radhë, për të kaluar kufirin shqitaro-grek në Kakavijë.

Radhët arritën në rreth 2 km në të dy anët e kufirit, ndërsa qindra drejtues mjetesh, që kërkuan të ktheheshin pas e patën të pamundur për shkak të bllokimit në radhë.

Mes qytetarëve kishte shumë fëmijë, që qëndruan me orë të tëra në temperatura të larta. Ndërkaq, policia njoftoi se bëhej fjalë për një defekt serioz të sistemit kompjuterik “Teams”.

Situata vazhdoi të mbante në radhë qindra mjete me targa shqiptare, duke iu dhënë përparësi mjeteve me targa greke dhe qytetarëve jo shqiptarë.

Top Channel