Apple ka fituar një çështje ligjore për një patentë kyçe ndaj rivalëve të Samsung, në Komisionin Ndërkombëtar të Tregtisë amerikane (US ITC).
ITC mbështeti një vendim të 2011-s, ku thuhej se Samsung kishte shkelur patentat e Apple në prodhimin e telefonave celularë, tabletave dhe pajisjeve të tjera.
ITC vendosi që pajisjet e Samsung, të prekura nga ky vendim, të mos tregtohen në SHBA, por ky ndalim është në pritje të rishikimit si vendim nga ana e presidentit amerikan, Barack Obama.
Presidenti ka 60 ditë kohë për të vlerësuar vendimin e ITC, edhe pse analistët thonë se ai nuk pritet të përmbysë vendimin e komisionit.
“Jemi të zhgënjyer, që ITC lëshoi një urdhër përjashtimi bazuar mbi 2 patenta të Apple”, njoftoi Samsung nëpërmjet një deklarate. “Fokusi i duhur për industrinë e smartphone-ve nuk është një luftë globale nëpër gjykata, por një konkurrencë e drejtë në treg”.
Apple vlerësoi vendimin, duke e marrë në kontekstin e betejave për patentën globale të gjigantit të teknologjisë.
“Me vendimin e sotëm, ITC u bashkua me gjykatat kudo në botë, në Japoni, Kore, Gjermani, Holandë dhe Kaliforni, duke qëndruar pro risive dhe duke refuzuar kopjimin e hapur të Samsung ndaj produkteve të Apple”, deklaroi kompania.
Vendimi është i aplikueshëm për 2 patenta. E para është e ashtuquajtura “patenta Steve Jobs”, e emëruar me emrin e themeluesit të kompanisë, që përfshin teknologjinë “touch-screen”. Ndërsa tjetra ka të bëjë me folenë audio të pajisjeve.
“Kjo është një tjetër fitore domethënëse për Apple, – tha analisti i pronës intelektuale, Florian Mueller, për BBC, – veçanërisht sepse patenta e famshme ‘Steve Jobs’ është një patentë themelore”.
Katër shkelje të patentave të tjera, të kërkuara nga Apple, u rrëzuan nga ITC.
Top Channel