“Snowden”, dy kompani mbyllin shërbimet

09/08/2013 18:40

Dy kompani amerikane kanë mbyllur shërbimet e tyre për email të koduar, për arsye që lidhen me informacionet e publikuara nga ish-tekniku i NSA-së, Edward Snowden.

Kompania me bazë në Teksas, “Lavabit”, është mbyllur por për arsye ligjore refuzoi të shpjegonte motivet.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se “Lavabit” ka qenë e përfshirë në një betejë ligjore për të ndaluar depërtimin e autoriteteve amerikane në të dhënat e klientëve të saj.

Ndërkohë, edhe kompania për sigurimin e komunikimeve “Silent Circle” ka mbyllur shërbimin e saj të postës elektronike pasi mesazhet nuk mund të mbahen më sekrete.

Snowden, një ish-kontraktor i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, ka pranuar se ka publikuar në media informacione për mbikëqyrjen e komunikimeve elektronike të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Ai u largua nga Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet për tradhti dhe spiunazh, dhe ka siguruar azil të përkohshëm në Rusi.

“Lavabit” u bë pre e kontrolleve pas lajmeve se Snowden po përdorte shërbimin e saj në kohën kur ndodhej i mbyllur në aeroportin e Moskës.

“Jam detyruar të marr një vendim të vështirë: ose të bëhem bashkëpunëtor në krime kundër qytetarëve amerikanë, ose të largohem nga 10 vjet punë duke mbyllur kompaninë”, deklaroi zoti Levison, drejtues i kompanisë përmes një mesazhi të publikuar në website-n e saj.

Ai tha se kishte vendosur të “ndërpriste operacionet”, por nuk dha detaje për ngjarjet e ndodhura në 6 muajt e fundit që e çuan këtu.

Top Channel