Siri, qeveria mohon sulmet e rebelëve ndaj Assad

09/08/2013 03:10

Qeveria siriane ka mohuar ditën e enjte se rebelët kishin shënjestruar autokolonën e presidentit Bashar al-Assad, teksa udhëtonte drejt besimtarëve muslimanë, që festonin fundin e Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, në një xhami të selisë diplomatike të Damaskut.

Televizioni shtetëror dha pamje të presidentit, teksa qëndronte përkrah klerikut më të lartë sunit të vendit, Ahmed Hassoun, në xhaminë Anas bin Malek, në distriktin Malki, ku dhe jeton presidenti.

Ministri i Informacionit, Omran Zohbi, tha: “Këto raportime janë totalisht të pavërteta, ëndrra dhe iluzione. Presidenti mori pjesë në lutje dhe përshëndeti njerëzit”.

Dy grupe rebele, brigada “Tahrir al-Sham” e Ushtrisë së Lirë Siriane dhe Liwa al-Islam, deklaruan se kishin hapur zjarr me mortaja, raketa Grad të prodhimit rus dhe bomba artilerie ndaj autokolonës. Një zëdhënës i Liwa al-Islam tha se shoqëruesit e Assad u plagosën.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Lirë, Omar Hamzeh, tha se autokolona është goditur dhe deklaroi se video nga xhamia mund të jetë bërë nga një shërbesë e mëparshme.

Komandanti i Tahrir al-Sham, Firal al-Bitar, tha për kanalin satelitor al-Arabiya se ishin dy autokolona, një prej të cilave ishte grackë. Ne shënjestruam atë të duhurën. Sulmi tronditi regjimin, edhe pse Assad nuk u plagos”, theksoi ai.

Top Channel