SHBA, 16 “Medalje Lirie” jepen nga Obama

09/08/2013 02:40

Bill Clinton, Oprah Winfrey dhe 14 të tjerë do të marrin “Medaljen e Lirisë” nga presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, këtë vit.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se presidenti do të dhurojë çmimet, që përbëjnë nderimin më të madh civil të kombit, në një klasë me aktivistë, atletë, muzikantë dhe shkencëtarë.

“Nderimet e këtij viti janë bekuar me një talent të jashtëzakonshëm, por, ajo që i dallon ato nga të tjerët, është aftësia e tyre për ndarjen e talentit me botën”, theksoi presidenti Obama në një deklaratë.

Mes personave që do të marrin këto medalje është Benjamin C. Bradlee, 91 vjeç, ish-redaktori ekzekutiv i “The Washington Post”, i cili udhëhoqi gazetën gjatë skandalit “Watergate”.

“O Zot, sa mitike”, tha Bradlee për “WP”. “E çfarë mund të marrë më shumë një njeri? Jam tmerrësisht i nderuar. Çfarë mund të bëjë njeriu, për të merituar këtë lloj nderimi?”.

Zonja Winfrey, 59 vjeç, është e vlerësuara më e re, ndërsa Bradlee, ai më i vjetri.

Mes të tjerëve, janë:

Ernie Banks, 82 vjeç, ish-ylli i “Chicago Cubs”;
Daniel Kahneman, 79 vjeç, fitues i Çmimit Nobel, psikolog dhe autor i “Të mendosh, shpejt e ngadalë”;
Richard G. Lugar, 81 vjeç, ish-senator demokrat nga Indiana, i cili punoi për të reduktuar kërcënimin e armëve bërthamore;
Loretta Lynn, 81 vjeç, këngëtare e rrymës “Country”;
Mario Molina, 70 vjeç, shkencëtari i mjedisit, që fitoi Çmimin Nobel për punën e tij në zbulimin se si disa kimikate shteruan shtresën e Ozonit;
Arturo Sandoval, 63 vjeç, këngëtar i “Jazz-it” kuban;
Dean Smith, 82 vjeç, ish-trajneri i basketbollit të Universitetit të Karolinës së Veriut;
Gloria Steinem, 79 vjeç, aktiviste për të drejtat e grave;
Cordy Tindell Vivian, 89 vjeç, aktiviste për të drejtat civile;
si dhe gjykatësja Patricia Wald, 84 vjeç, e para grua, që shërbeu  në Gjykatën e Apelit Federal të Washington-it. (Ish-presidenti Clinton është 66 vjeç).

Presidenti do të japë medaljen edhe për Daniel K. Inouye, pas vdekjes, ish-senator demokrat nga Hawaii dhe i pari amerikano-japonez, që shërbeu në Kongres; Sarry Ride, e para femër astronaute në hapësirë; si dhe Bayard Rustin, aktivist i të drejtave civile të gay-ve, që ndihmoi në organizimin e “Punësim dhe Liri” në mars të 1963-shit, në Washington.

Më shumë se 500 njerëz kanë marrë këtë medalje, që kur presidenti John F. Kennedy e krijoi atë, 50 vjet më parë me urdhër ekzekutiv.

Top Channel