
Nga selia e Partisë Socialiste, Artan Lame deklaroi se situata me tjetërsimin e pronës në të gjithë vendin është alarmante. Ai tha se qeveria në ikje po abuzon me zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, siç është rasti i Nartës.
Lame akuzoi edhe Agjencinë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, ndërsa paralajmëroi se në shtator do të anulohet çdo vendimmarrje e paligjshme e qeverisë Berisha.
“Muajt e fundit ka një dyndje të vendimmarrjeve abuzive në zonat e mbrojtura dhe parqeve kombëtare. Kështu po ndërhyhet me vendimmarrje në Parkun e Dajtit, në zonën e Rrushkullit, në zonën e mbrojtur të Vjosës dhe shumë zona të tjera të mbrojtura.
Pikërisht në këto ditë, me urgjencën e hajdutëve të ditës së fundit, po përgatitet tjetërsimi i një sipërfaqeje prej rreth 600 hektarësh që aktualisht i përket zonës së mbrojtes Vjosë-Nartë. Për këtë po veprohet me urgjencë nga Ministria e Mjedisit për tjetërsimin e statusit të kësaj zone për t’i hapur me tej rrugën ndërtimeve brenda saj.
Pjesë e këtij mekanizmi pervers po bëhet edhe Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave, e cila pasi për 8 vjet rresht ja futi gjumit, tani në dy javët e fundit të gushtit u kujtua të vërë drejtësinë në vend duke shpërndarë qindra hektarë sa poshtë e përpjetë.
U bëjmë thirrje të gjithë këtyre pushtet-mbajtësve kalimtarë që të mos vazhdojnë më me të tilla vendimmarrje abuzive të cilat shtatori do t’i shohë të gjitha të kthyera mbrapsht”, deklaroi zoti Lame.
Top Channel