Obama: I hapur për programet e survejimit

09/08/2013 23:20

Të premten, presidenti Barack Obama përmendi hapat, që do të merren, për të rikthyer besimin publik ndaj masave të mbledhjes së informacioneve të inteligjencës amerikane, pas rrjedhjeve nga ish-kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), Edward Snowden, që tronditën administratën e tij dhe turbulluan marrëdhëniet e SHBA-ve përtej kufijve.

“Është e rëndësishme të bëhen pyetje” në lidhje me privatësinë, si pasojë e rrjedhjes së informacioneve dhe publikimeve të tjera rreth programeve të survejimit të qeverisë, që kërkojnë shqyrtim të imtësishëm, tha Obama gjatë një konference për shtyp, afro 1 orë të gjatë, në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë.

“Si president, nuk është e mjaftueshme për mua, që të kem besim te këto programe. Populli amerikan duhet të krijojë besim gjithashtu”.

Që kur Snowden nxorri dokumente sekrete për mediat, kritikët e kanë quajtur survejimin e brendshëm të NSA-së, përfshi edhe një program që monitoron të dhënat e telefonatave vendase, një tejkalim të detyrave të qeverisë. Shumë prej kritikëve i kanë kërkuar administratës Obama dhe Kongresit të ndalin këto programe.

Hapat që do të ndërmerren, sipas presidentit, përfshijnë punën me Kongresin për të ndjekur përmirësimet e duhura të programit të të dhënave telefonike; reformimin e gjykatës sekrete, që aprovon këtë iniciativë; përmirësimin e transparencës, për të dhënë sa më shumë informacion të jetë i mundur për publikun, përfshi këtu arsyetimet ligjore për aktivitetet grumbulluese të qeverisë; si dhe emërimin e një grupi të nivelit të lartë dhe të pavarur ekspertësh për të rishikuar teknologjitë e survejimit.

Obama tha se veprimet e Snowden nuk konstituojnë ato të një “informuesi” apo “patrioti”, duke thënë se kishte “rrugë të tjera”, mes atyre ekzistuese të mbrojtjes së informatorëve, që ish-kontraktori i NSA-së mund të kishte ndërmarrë, në vend që të nxirrte informacione në publik të survejimit të sigurisë kombëtare.

Snowden, i cili ka përfituar azil të përkohshëm në Rusi, mund “ta paraqiste rastin e tij në gjykatë”, si çdo amerikan tjetër, tha presidenti.

Obama shtoi se vendimi i tij për të mos shkuar në Moskë muajin e ardhshëm, për samitin e iniciuar nga këto dy vende, nuk ishte i lidhur vetëm me vendimin e Rusisë për t’i ofruar azil të përkohshëm Snowden-it.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet “të pushojnë” paksa në marrëdhëniet me Rusinë, për të kuptuar se ku dhe si qëndrojnë gjërat. Presidenti refuzoi gjithashtu thirrjet për të bojkotuar Lojrat Olimpike Dimërore në Sochi të Rusisë, për shkak të vendimit të Kremlinit për Snowden dhe prej kalimit të ligjeve anti-gay.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA