Gamilet mund të jenë përgjegjëse për kalimin e virusit vdekjeprurës të koronavirusit nga kafshët tek njeriu, sugjeroi një studim mjekësor i sapopublikuar.
Virusi i ka marrë jetën deri tani disa dhjetëra personave në Lindjen e Mesme apo të personave që kishin udhëtuar në këtë rajon.
Testimet kanë treguar se një virus shumë i ngjashëm qarkullonte prej kohësh tek kafshët dhe sipas studimit të realizuar nga disa ekspertë infeksionistë, publikuar në revistën e specializuar “Lancet”, besohet që koronavirusi është mutacion i virusit MERS, i transmetuar tek njeriu prej gamileve.
Ndërsa ka prova të transmetimit të virusit nga njeriu tek njeriu, ai mbetet shumë më i rrezikshëm në kontakt direkt me kafshën.
Megjithatë, deri më tani, shkencëtarët e kishin të paqartë se cila kafshë mund të ishte shkaktarja.
Rasti i parë i coronavirusit u regjistrua për herë të parë në 2012-n në Arabinë Saudite dhe që prej atëherë, janë konfirmuar 94 raste, 46 prej të cilave kanë pasur një fund fatal.
Top Channel