Basha: Kujdes me politikën e jashtme

09/08/2013 15:25

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha ka bërë mesazhin e tij të parë politik në rrjetin social Facebook, që kur u zgjodh në krye të forcës më të madhe të opozitës në vend.

Megjithëse nuk ia ka përmendur emrin kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama, duket se kreu i ri i opozitës së re ka marrë shkas nga deklaratat e zotit Rama pas vizitave në Turqi dhe Greqi për të mbajtur një qëndrim kritik mbi mënyrën sesi kryeministri i ardhshëm po e ndërton politikën e jashtme.

Zoti Basha thotë se: “Vendosja publike e një rendi të rëndësisë strategjike midis fqinjëve është çoroditëse për perceptimin ndërkombëtar të vendit”.

Lulëzim Basha, i cili ka kryer për rreth 2 vjet detyrën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, tërheq vëmendjen në mesazhin e tij në Facebook, ku thotë se:

“Politika e jashtme dhe institucionet e sigurisë kombëtare në vendet demokratike nuk janë instrumente të propagandës dhe kapitalit politik”.

Duke lënë qartë të kuptohet se këtë mesazh e ka shkruar si reagim pas intervistës në Top Channel të kryesocialistit Edi Rama rreth strategjisë së re që do të ndjekë në diplomaci qeveria e ardhshme, zoti Basha thotë se: “Politika e jashtme dhe integrimi evropian i Shqipërisë duhet të udhëhiqen nga racionaliteti, maturia dhe vazhdimësia”.

Sipas kreut të Partisë Demokratike, “trajtimet emocionale, amatorizmi dhe etja për t’u dukur janë të dëmshme për interesat e vendit”.

Ajo që bie në sy në këtë mesazh të parë opozitar në Facebook është një gjuhë krejt e ndryshme nga ajo e liderit historik të Partisë Demokratise, Sali Berisha, kur i adresohet kundërshtarit politik dhe veprimeve të tij.

Ka edhe një ndryshim tjetër në këtë rotacion pushteti. Tani, opozita duket se është zhvendosur nga Tëitter-i në Facebook.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA