Vatikan, Papa forcon kontrollet bankare

08/08/2013 17:20

Papa ka bërë një hap përpara në luftën kundër korrupsionit në Vatikan duke përforcuar mbikëqyrjen e transaksioneve financiare në bankën e brendshme të selisë së shenjtë.

Papa Françesku firmosi një dekret që synon luftimin e pastrimit të parave dhe parandalimin që kapitalet ekonomike të financojnë terrorizmin.

Bëhet fjalë për lëvizjen e fundit për të goditur abuzimet në bankën e Vatikanit, institucion që menaxhon fondet për Kishën Katolike. Së fundmi Papa ngriti një komision për të hetuar bankën dhe që do t’i raportojë atij personalisht.

Muajin e kaluar Vatikani ngriu llogarinë e një kleriku të vjetër, imzot Nunzio Scarano, i dyshuar për përfshirje në operacionet e pastrimit të parave.

Ai dhe dy persona të tjerë u arrestuan nga policia italiane në qershor, nën dyshimin se po përpiqeshin të transferonin 20 milionë euro ilegalisht.

Prioriteti numër 1 i Papa Françeskut këtë verë është zgjidhja e rrëmujës financiare në bankën e Vatikanit dhe të një strukture të lidhur me të që kontrollon asetet financiare të selisë së shenjtë, raporton korrespondenti i BBC në Londër.

“Dekreti i ri i atit të shenjtë synon të frenojë pastrimin e parave, financimin e terrorizmit ndërkombëtar dhe prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë”, thuhet në një deklaratë për shtyp të Vatikanit.

Zëdhënësi i Kishës Katolike, atë Federico Lombardi deklaroi se dekreti do të ndihmojë gjithashtu Vatikanin që t’i rezistojë “zhvillimeve tinëzare” të formave të krimit financiar ndërkombëtar.

Top Channel