Spanjë, hetimet për aksidentin hekurudhor

08/08/2013 17:05

Drejtori i shërbimit hekurudhor në Spanjë deklaron se ekuipazhi i trenit që doli nga binarët muajin e kaluar e që vrau 79 persona nuk kishte raportuar ndonjë problem përpara përplasjes.

Zyrtari Julio Gomez Pomar raportoi përpara një paneli parlamentar në lidhje me aksidentin që ndodhi në afërsi të Santiago de Kompostela.

Dalja e trenit nga shinat më 24 korrik la gjithashtu 170 persona të plagosur. Makinisti i trenit, Francisco Jose Garzon Amo ndodhet nën hetim por deri tani nuk është akuzuar zyrtarisht.

“Gjatë udhëtimit nuk ka pasur asnjë komunikim mes trenit dhe qendrës së monitorimit për të raportuar ndonjë dëm apo anomali”, deklaroi Pomar.

Ai tha se të gjitha proçedurat normale të sigurisë ishin zbatuar dhe se makinisti nuk kishte qenë në detyrë më shumë se numri standart i orëve, pasi ishte kthyer në shërbim pas dy ditësh pushim.

Korrespondenti i BBC në Madrid deklaron ndërkohë se sesioni parlamentar nuk pritet të shqyrtojë shkaqet e aksidentit. Në vend të kësaj, deputetët duan të dinë se çfarë masash janë marrë pas ngjarjes për të përmirësuar sigurinë.

Ndërkohë, “kutia e zezë” e trenit ka treguar se makinisti ishte duke folur me një koleg me telefonin e punës dhe po konsultohej me disa dokumente përpara aksidentit.

Nga ana tjetër, autoritetet gjyësore që po hetojnë ngjarjen kanë deklaruar se treni po udhëtonte me 192 km/orë, më shumë se dyfishi i limitit të shpejtësisë, kur arriti në kthesën që e nxorri jashtë shinave.

Top Channel