Pakistan, masakër në varrimin e policit

08/08/2013 16:40

Një atentator vetëvrasës është hedhur në erë në varrimin e një polici në jug-perëndim të Pakistanit, duke vrarë të paktën 28 persona, përfshirë një oficer të lartë policie.

Autoritetet lokale deklaruan se shpërthimi ndodhi në Kueta, kryeqendër e rajonit të Baluçistanit, ku për rrjedhojë rreth 50 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Shefi i policisë së Kuetës, Mir Zubair Mehmood tha për agjencinë e lajmeve “AP”, se atentatori shpërtheu eksplozivin që mbante në trup fare pak momente para fillimit të ceremonisë mortore.

Deri tani askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për atentatin, por dyshimet bien si gjithmonë mbi talebanët, që në të kaluarën kanë kryer një sërë sulmesh vetëvrasëse në Baluçistan.

Provinca gjithësesi nuk vuan vetëm nga rebelimi i talebanëve, por edhe nga lufta sektare mes sunitëve dhe shiitëve, si dhe nga rebelimi i separatistëve lokalë. Ditën e martë, separatistë të armatosur vranë të paktën 13 pasagjerë të një autobusi në afërsi të Kuetës.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se atentati i fundit shënon kulmin e gjakderdhjes gjatë muajit të Ramazanit në Pakistan, me mbi 90 të vdekur në 11 sulme gjithësej.

Nëndrejtori i përgjithshëm i policisë, Fayaz Sumbal, një nga oficerët më të vjetër në Kueta, është mes personave të vrarë në atentatin e së enjtes, kanë saktësuar autoritetet.

Top Channel