Dhunë me urdhër mbrojtjeje

08/08/2013 15:30

Telefonatat e bëra në numrin pa pagesë 129 dhe 126 u ka shpëtuar jetën dy grave në kryeqytet, të cilat ishin kërcënuar nga ish-bashkëshortet e tyre.

Fqinjët e dy grave, që të dyja me urdhër mbrojtjeje, kanë njoftuar menjëherë policinë pasi kanë dëgjuar zhurma në banesat ngjitur, sikurse pasqyrohet edhe në regjistrin ku mbahet shënim çdo ngjarje e raportuar në sallën operative.

“Ngjarjet kohët e fundit kanë qenë shqetësuese për problemet në familje. Është një përqindje shumë e madhe dhe ndërhyrja jonë është e vështirë pasi në shumicën e rasteve tregojnë komshinjtë dhe jo vetë familja në nevojë. Megjithatë ne ndërhymë, siç ishte rasti i djeshëm në rrugën “Ali Demi”, që u mbyll me arrestimin e të dyshuarve”, deklaron Petrit Bregu, shef i sallës operative.

Sipas policisë, mjaft bashkëshortë ose ish-partnerë, kryesisht në proces divorci, po shkelin urdhërat e mbrojtjes të vendosur nga gjykata, në rastet kur në verdiktin e gjyqësorit deklarohet një distancë mes tyre që nis nga 100 metra deri në 500 metra.

Ky fenomen po ndeshet veçanërisht tek çiftet që kanë denoncuar dhunë dhe që sërish me urdhërin e mbrojtjes duhet të jetojnë nën të njëjtën çati.

“Nuk kemi ndeshur asnjë rast të grave që të vijnë të bëjnë një ankesë në gjykatë apo një kallëzim në polici. Të gjitha rastet janë dhunimi i gruas nga bashkëshorti ose nga familja e këtij të fundit. Zakonisht urdhëri i mbrojtjes fokusohet tek bashkëshortët, fëmijët lihen pas dore. Sepse edhe gratë vijnë dhe kërkojnë mbrojtje për veten e tyre, pa përfshirë fëmijët”, thotë psikologia Valbona Treska.

“Është e vështirë që vetë të dëmtuarit të marrin në telefon, por kjo nuk do të thotë që nuk ka ndodhur”, vijon më tej Petrit Bregu, shef i sallës operative të policisë.

Shqetësimi më i madh për funksionimin e urdhërit të mbrojtjes e ka sjellë tërheqja nga paditë për urdhër mbrojtjeje të vetë grave që denoncojnë dhunën dhe ende për këtë fenomen të ri nuk ka një studim se cilat janë arsyet, nëse kallëzueset vërtet e zgjidhin konfliktin me pajtim, siç edhe deklarojnë, apo ato e kryejnë këtë veprim nën efektin e kërcënimit.

Rasti më i fundit është ai i vrasjes së Dallëndyshe Jazxhiut, e cila kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje në gjykate, por më pas e kishte tërhequr këtë kërkesë, ndërsa pa kaluar një muaj nga ky veprim ajo u gjet e vrarë në banesë nga i shoqi që me pas i kishte dhënë fund edhe jetës.

Top Channel