Babai i snowden vlerëson Putin

08/08/2013 21:20

“Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të dorëzohet. Ai u tregua i pathyeshëm përpara presionit të fortë të qeverisë sonë dhe jam i bindur se do të vazhdojë kështu”.

Janë këto fjalët e Lon Snowden, babai i ish-kontraktorit të qeverisë amerikane Eduard Snowden, të thëna në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”. “Respektoj forcën dhe kurajon e presidentit rus”, ka thënë ai.

Gjatë intervistës, Snowden përsërit kritikat ndaj administratës Obama, duke nënvizuar se: “Problemi nuk është Rusia, por sistemi amerikan i spiunazhit”.

Çështja Snowden bëri që mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të ftohen marrëdhëniet në atë pikë sa presidenti amerikan Barack Obama anuloi takimin e parashikuar me homologun rus Putin.

Uashingtoni zyrtar e cilëson si të papranueshëm vendimin e Moskës që i ofroi statusin e refugjatit spiunit të “Datagate”, i cili sipas qeverisë amerikane duhet të kthehej në atdhe për t’u gjykuar.

Nga ana e saj qeveria ruse u shpreh e zhgënjyer nga vendimi i presidentit Obama për të anuluar takimin, duke vlerësuar se SHBA nuk janë gati të vendosin me Rusinë marrëdhënie si shtete të barabarta.

Gjithësesi, Obama do të udhëtojë në Rusi për të marrë pjesë në samitin e vendeve të G20-ës, në vjeshtë në Shën Pietërburg.

Top Channel