Zvicra do izolojë azilkërkuesit

07/08/2013 19:10

Disa qytete në Zvicër planifikojnë t’i izolojnë azilkërkuesit nga ambjentet publike si pishinat, fushat e lojrave apo bibliotekat, një lëvizje kjo që është konsideruar raciste nga grupet e të drejtave të njeriut.

Kjo masë ka si qëllim shmangien e konflikteve me banorët vendas, kanë deklaruar autoritetet lokale. Azilkërkuesit do të strehohen në qendra të posaçme, kryesisht në ish-barraka ushtarake, e para prej të cilave është hapur në qytetin Bremgarten.

Mesatarja e azilkërkuesve në Zvicër është shumë më lartë sesa ajo evropiane. Për këtë arsye, ligjet për azil u përforcuan në qershor.

Korrespondentja e BBC në Gjenevë thotë se, masa kontroverse tregon rritjen e shqetësimit të vendasve për numrin e lartë të azilkërkuesve, që në Zvicër është ndër më të lartët në Evropë. Rreth 48 mijë persona po kërkojnë aktualisht azil në këtë vend.

Roman Staub, kryetar i bashkisë së qytetit Menzingen, deklaroi se azilkërkuesve duhet t’u ndalohet aksesi në “zonat e ndjeshme”, që janë lagjet dhe shkollat.

“Kjo është një zonë shumë e rëndësishme, pasi azilkërkuesit këtu mund të përplasen me fëmijët tanë në shkolla, vajza apo djem të rinj”, deklaroi Staub.

Ndërsa në Bremgarten, kisha do të jetë e ndaluar për emigrantët. Grupet e të drejtave të njeriut kanë reaguar të indinjuara, duke e cilësuar masën në fjalë raciste.

Top Channel