Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi fton qytetarët serbë të votojnë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, për të cilat ai tha se qeveria e tij i ka dërguar një ftesë baroneshës Catherine Ashton që të dërgojë një ekip vëzhguesish.
Po ashtu, ai ka thënë se është mirë që të gjitha partitë politike kanë filluar përgatitjet, duke përfshirë edhe ato subjekte dhe kandidatë të pavarur në veri të vendit.
“Në emër të qeverisë së Kosovës, edhe njëherë sot i ftoj të gjithë njerëzit, edhe ata në veri të Mitrovicës, që t’i bashkangjiten projektit për rend demokratik, për pluralizëm demokratik, për një konkurrencë të lirë të vizioneve të ndryshme, për Kosovën e re, për Kosovën evropiane. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje është një mundësi e re, është një garanci e përbashkët se do ta ndërtojmë Kosovën tonë bashkarisht”, ka deklaruar Thaçi.
Sipas kryeministrit, procesi i zbatimit të marrëveshjes së 19 prilli po zbatohet, duke përfshirë edhe procesin e IBM-së.
“Siç edhe jeni të informuar, procesi i implementimit të marrëveshjes së 19 prillit mes shtetit të Kosovë dhe Serbisë është duke vazhduar. Ekipet teknike dhe profesionale janë duke zhvilluar takime të reja në Bruksel. Në veçanti është në përmbyllje e sipër i gjithë procesi i IBM-së, gjë që nënkupton edhe fillimin e ndërtimit të objekteve moderne në pikat kufitare mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, pra në gjashtë pikat kufitare”, ka nënvizuar Thaçi.
Thaçi ka shtuar se mbulimin financiar të këtyre pikave do ta bëjë Komisioni Evropian, gjë që është në përputhshmëri me marrëveshjet e arritura më herët.
Top Channel