Në kohën kur Presidenti i Republikës ka caktuar datën 22 dhjetor, për zhvillimin e referendumit për shfuqizimin e dy neneve të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’” dhe kur Partia Socialiste ka deklaruar se, me ardhjen e saj në pushtet, do ta shfuqizojë këtë ligj, qeveria në ikje miraton importin e 2600 ton mbetjesh në Shqipëri.
Në mbledhjen e radhës të Qeverisë, kabineti i drejtuar nga Kryeministri, Sali Berisha, ka miratuar dy vendime, të cilat i hapin rrugë importit të mbetjeve nga Greqia dhe Italia.
Në vendimin e parë, Qeveria Berisha i jep të drejtë kompanisë “Plastika – Albania” sh.p.k. për importin e mbetjeve të polietilenit nga Greqia, me një total prej 600 ton në vit.
Ndërkaq, në vendimin e dytë, shoqërisë “V.A.L.E. RECYCLING” i jepet e drejta të importojë në Shqipëri, nga Italia, një total prej 2000 ton mbetjesh në vit, të llojit gizë, çelik, bakër, alumin, zink, plumb, qelq, plastikë, letër, tallash e veshje të përdorura.
Pavarësisht vendimeve të miratuara nga qeveria Berisha, Kryeministri i ardhshëm Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të jetë i nevojshëm zhvillimi i referendumit, pasi qeveria e tij do ta shfuqizojë këtë ligj.
Top Channel