Pagjumësia dhe obeziteti kanë një lidhje të qartë midis tyre, vërtetoi një studim i udhëhequr nga Universiteti Berkeley, në Kaliforni.
Sipas studimit, mungesa e gjumit rrit dëshirën e trupit për të konsumuar ushqime të shpejta, si “fast-food” e pica, në vend të perimeve apo vakte të tjera të shëndetshme.
Si rrjedhojë, personat që nuk arrijnë të kenë një relaks të plotë gjatë natës, janë më të rrezikuar nga mbipesha dhe obeziteti.
Kërkuesit e universitetit amerikan realizuan studimin duke skanuar trurin e disa vullnetarëve, që pranuan të flinin vetëm pak orë natën.
Në mëngjes, skanimi tregoi se aktiviteti i trurit në pjesën frontale, përgjegjëse për marrjen e vendimeve kompelkse, shfaqte një rënie, ndërsa rritej aktiviteti në zona më të thella të trurit, të cilat lidhen me kënaqësinë dhe sistemin e shpërblimit e ndëshikimit të vetes.
Me fjalë të thjeshta, pas një nate pa gjumë, një njeri priret instiktivisht që të lehtësojë jetën e tij gjatë ditës, duke marrë vendime të menjëhershme, si konsumi i ushqimeve të menjëhershme, në vend të përzgjedhjes së ushqimeve të shëndetshme.
I zgjatur në kohë, ky fenomen është në gjendje që të favorizojë dukshëm shtimin e vazhdueshëm të peshës.
Top Channel