Obama anulon takimin me Putin

07/08/2013 17:20

Presidenti amerikan Barack Obama ka vendosur të anulojë takimin dypalësh me homologun rus Vladimir Putin, në shenjë proteste ndaj çështjes “Snowden”, bën të ditur shtypi amerikan.

Obama, në kuadër të udhëtimit të tij për në samitin e G20-ës në Shën Pietërburg, ka anuluar vizitën në Moskë, ku ishte programuar një takim kokë më kokë me Putin. Këtë etapë të udhëtimit të tij, ai e ka zëvendësuar me një vizitë në Suedi.

“Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të rrethanave kemi arritur në përfundimin se ngjarjet e fundit nuk kanë qenë pjesë e axhendës së përbashkët me Rusinë për një samit dypalësh në fillim të shtatorit”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

“Për këtë arsye kemi informuar qeverinë ruse për faktin se e konsiderojmë më konstruktive ta shtyjmë takimin”, vijon komunikata e selisë presidenciale në Uashington.

Në deklaratën për shtyp thuhet më tej se, vendimi zhgënjyes i Rusisë për t’i dhënë azil të përkohshëm Snowden ishte një prej faktorëve të marrë në konsideratë për vlerësimin e gjendjes aktuale të marrëdhënieve SHBA-Rusi.

Nga ana e tij, Kremlini ka shprehur zhgënjim për këtë vendim të presidentit amerikan, bën të ditur agjencia e lajmeve “Ria Novosti”, që citon burime pranë presidencës ruse.

“Anulimi i takimit Obama-Putin nga Shtëpia e Bardhë dëshmon se Shtetet e Bashkuara nuk janë gati të ndërtojnë me Rusinë marrëdhënie në kushte të barabarta”, ka deklaruar këshilltari diplomatik i Kremlinit, Iuri Ushakov.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA