Edhe në qytetin e Elbasanit ndërtimet pa leje po shtohen dita-ditës. Kohët e fundit janë gjetur mbi 50 të tilla vetëm në territorin e bashkisë.

Në lidhje me këtë situata, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini fajëson direkt zyrën e ALUIZNI-t e cila, sipas tij, po shkel hapur ligjin.

Sejdini shpjegon se sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave do të hyjnë në proces legalizimi ato ndërtime të bëra nga viti 2006 e në vazhdim në territorin pronë të atij që ndërton.

Por pa marrë parasysh këtë klauzole te ligjit, vijon Sejdini, filiali i ALUIZNI-t në Elbasan po fut në proces legalizimi edhe ato objekte të ndërtuara në territor publik.

Sipas Sejdinit as Policia Bashkiake dhe as Inspektoriati Ndërtimor nuk mund të ndërhyjnë kur një objekt është në proces legalizimi.

“Dega e legalizimit i ka pranuar dokumentat të gjitha, edhe për ato që janë brenda ligjit edhe për ato jashtë ligjit. Për rrjedhojë edhe ato në shkelje janë në proces legalizimi. Në këtë moment Policia bashkiake dhe Inspektoriati janë të pafuqishëm”, tha kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Sejdini.

Sejdini vijoi më tej duke deklaruar se në lidhje me shkeljen e ligjit nga ana e ALUIZNI-t do t’i drejtohet sektorit të Krimit Ekonomik dhe Prokurorisë.

Top Channel