McCain: Rrëzimi i Morsi-t ishte “grusht shteti”

07/08/2013 02:30

Senatori amerikan John McCain tha se rrëzimi i ish-presidentit egjiptian, Mohamed Morsi, një muaj më parë, ishte një “grusht shteti”, një përshkrim që del në kundërshtim me deklaratat e deritanishme të administratës Obama.

Shtëpia e Bardhë ka shmangur përdorimin e këtij termi për rrëzimin e Morsit nga ushtria e Egjiptit.

“E kemi thënë se ne ndajmë aspiratat demokratike dhe kritikat ndaj qeverisë së Morsit, që çoi në daljen e miliona egjiptianëve nëpër rrugë. Po ashtu kemi thënë se rrethanat e rrëzimit të Morsi-t përbënin një ‘grusht shteti’”, tha McCain për reporterët në Kajro, gjatë së martës.

McCain e konsideroi rrëzimin si një “grusht” edhe në korrik, por ai zgjodhi të përsërisë këtë përshkrim edhe në tokën egjiptiane, në një kohë kur vendi po përballet me trazira dhe dhunë edhe pas asaj ngjarjeje.

Ai dhe senatori Lindsey Graham, të dy republikanë, u takuan me zyrtarë të Egjiptit për të ushtruar presion mbi një rikthim të shpejtë drejt jetës politike të drejtuar nga civilët. Senatorët vizituan vendin për herë të parë, që pas largimit të presidentit nga detyra.

McCain tha se nuk ishin në Egjipt për t’u ndalur në të kaluarën, por për të ndihmuar vendin të ecë përpara në rrugë paqësore dhe demokratike. Ai dhe Graham urdhëruan gjithashtu qeverinë të lirojë të burgosurit politik.

Graham tha se dhuna do të shkatërrojë të ardhmen e Egjiptit, por shprehu optimizëm. Ndihma e SHBA-ve për këtë vend është një nga investimet më të mira në botë, shtoi ai.

“Jemi këtu për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje egjiptiane për një problem egjiptian”, tha Graham.

Top Channel