Pas shqetësimit të Gjykatës së Tiranës, në të cilën u konstatua se femrat e dhunuara tërhiqen në seanca nga paditë ndaj bashkëshorteve te tyre, edhe policia konstaton të njëjtën gjë.
Por, ndërsa për burrat e dhunshëm policia ka referuar në prokurori, për akuzen e dhunes në familje mbi 60 raste, uniformat blu bëjnë këtë apel për gratë.
“Apeli jonë është që në të gjithë ato gra apo ata persona që janë të dhunuar dhe kërkojnë ndihmë tek ne, të plotësohen urdhërat e mbrojtjes deri sa të dalë urdhëri i gjykatës, të mos tërhiqen e të vazhdojnë të kërkojnë mbrojtjen tonë, në mënyrë që situata të mos degradojë dhe të shmangen vrasjet e mundshme”, deklaroi Edmond Meshini, shef i patrullave.
Për kreun e patrullave, në komisariatin katër, komisariat që mbulon edhe një sërë fshatrash në kryeqytet, kërkesat për urdhër-mbrojtjeje janë të njëjta si në qytet edhe në zonat rurale.
“Shikohet që vijnë ato raste kur vetë familja apo njerëzit e afër nuk kanë arritur të ndikojnë në zgjidhjen e konflikteve. Shikon që gratë apo nusja që bën kërkesë për mbrojtje duket që ka ardhur në atë pikë që s’mund të kenë zgjidhje tjetër”, shtoi Meshini.
Krimi në familje po kthehet në një fenomen tepër shqetësues për shoqërine shqiptare, në një kohë që për këtë arsye, në kodin penal kanë hyrë në fuqi dënime të ashpra për këdo që kryen vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, siç janë vrasja e bashkëshortes apo bashkëshortit, ish-bashkëjetueses, ish-vjehrit, vëllait apo motrës.
Vepra penale e ketyre vrasjejeve, aktualisht gjykohet nga Krimet e Rënda dhe parashikon dënimin minimal 20 vjet dhe maksimali burg i përjetshëm.
Top Channel