Përpjekjet për zgjidhjen e ngërçit egjiptian

06/08/2013 00:40

Në një përpjekje për të kaluar ngërçin politik në Egjipt, senatorët amerikanë John McCain dhe Lindsey Graham kanë mbërritur të hënën në Kajro, për t’u takuar me liderët e përkohshëm të Egjiptit.

Dy senatorët republikan priten të takohen me presidentin e përkohshëm, Adly Mansour, gjatë së martës, por edhe me ministrin e Mbrojtjes, Gjeneral Abdel Fattal al-Sisi dhe ministrin e përkohshëm të Jashtëm, Nabil Fahmy, ka bërë të ditur zëdhënësi i punëve të jashtme egjiptiane, Badr Abdelatty.

Ata priten gjithashtu të takohen, të ndarë nga njëri-tjetri, me lidershipin e Vllazërisë Muslimane. McCain dhe Graham kanë ndërmarrë këtë udhëtim me kërkesë të presidentit amerikan Barack Obama.

“Ushtria egjiptiane duhet të lëvizë më agresivisht drejt rikthimit të kontrollit të popullsisë civile dhe organizatave civile”, tha Graham, senator i Karolinës Jugore, kur u pyet në lidhje me objektivat e udhëtimit.

“Ushtria nuk mund të vazhdojë të drejtojë vendin. Ne kemi nevojë për zgjedhje demokratike. Vllazëria Muslimane duhet të tërhiqet nga rrugët dhe të rikthehet në arenën politike për të luftuar ndryshimet politike atje. Egjipti duhet t’i rikthehet sërish punës. Nëse kjo situatë vazhdon, atëherë ky do të jetë një shtet i dështuar. Ndaj dhe ne jemi këtu”.

Egjipti është përfshirë nga kaosi, që kur presidenti i parë i vendit i zgjedhur në rrugë demokratike, Mohamed Morsi, u rrëzua nga pushteti muajin e kaluar. Por, zyrtarët amerikanë kanë nguruar ta konsiderojnë një “grusht shteti” rrëzimin e tij, një përcaktim që do të vlente 1,3 miliardë dollarë më pak për Egjiptin, si pasojë e ndihmave që ofrojnë aktualisht SHBA-të çdo vit, që do të ndërpriteshin.

“Gjithashtu do të kufizonte aftësinë për të pasur atë lloj marrëdhënieje, që ne mendojmë se duhet të kemi me forcat e armatosura egjiptiane”, tha Gjeneral Martin Dempsey, anëtar i stafit.

Shtetet e Bashkuara ndihmojnë Egjiptin, pasi ai është një nga 2 vendet e vetme arabe, së bashku me Jordaninë, që kanë bërë paqe me Izraelin. Nëse Washington-i do të ndërpriste ndihmat, kjo do të kishte ndikim në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.

Top Channel