Në kohën kur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha shprehet se do të prishë të gjitha ndërtimet pa leje që lulëzuan në Tiranë gjatë periudhës para dhe pas zgjedhore, ndërtimet pa leje në Tiranë vazhdojnë pa u ndalur.

Ndonëse ka ankesa drejtuar Bashkisë nga fqinjët e atyre që ndërtojnë pa leje, punonjësit e Bashkisë nuk u përgjigjen.

“Ne jemi ankuar që më datë 11 tek Policia Bashkiake, policia bashkiake na dërgoi tek bashkia e madhe. Po s’bëtë shkresa ju, na thanë, ne nuk lëvizim. Ne bëmë shkresën dhe pritëm 1 muaj e ca. Shkuam për përgjigje, na thanë që nuk e kemi ne, por shkoni tek Policia Bashkiake. Kanë dërguar një shkresë ku thuhet që unë nuk e shoh pallatin. Polici, inspektori që nuk sheh dhe me sa duket duhet të shkojë për vizitë mbase ka ndonjë problem me sytë”, thotë një qytetar.

Pasi ka trokitur në dyert e Bashkisë dhe ka bërë kërkesën me shkrim, ky qytetar ka marrë përgjigje pas 1 muaji. Në njoftimin e Policisë Bashkiake i thuhej se është verifikuar në vend problemi dhe nga ana e inspektorit të Policisë Bashkiake nuk janë gjetur objekte në ndërtim.

Por nga ana tjetër, qytetari shprehet se jo vetëm po ndërtohet pa leje, por po u dëmtohen banesat e tyre nga bllokimi i oxhaqeve dhe antenave të vendosura në tarracë.

“Kemi probleme sepse ky zotëria ka hequr antenat, ka prishur oxhakun e ka bërë rrafsh dhe thotë që është tarraca ime. Kur është prishur oxhaku gjithë tymrat na kanë hyrë në shtëpi dhe e kemi gjetur banesën si të jetë një fabrikë çimentoje”, ankohet qytetari.

Gjatë aksionit në këtë zonë, kreu i Policisë Ndërtimore ka prishur në mënyrë selektive një tjetër shtesë kati në një tjetër pallat, por nuk ka cënuar aspak ndërtimet që vazhdojnë po aty dhe ku ka patur ankesë nga qytetarët.

Ky është një nga rastet e shumta të ndërtimeve pasi e gjithë Tirana është shndërruar në një kantier ku punohet pa pushim. Ligji po shkelet tashmë edhe nga zyrtarë të lartë që punojnë në institucione që japin drejtësi.

Top Channel