Lushnje, tre në pranga për gjobëvënie

06/08/2013 00:00

Kanë përfunduar në prangat e policisë së Lushnjës tre persona të cilët kërcënuan dhe i vunë gjobë një biznesmeni në këtë qytet.

Gjithçka ka nisur rreth 1 javë më parë, kur tre personat Elis e Kujtim Taullau, atë e bir, së bashku me shtetasin Lorenc Bilali kanë hedhur në oborrin e ambjenteve të biznesmenit Josif Çuko një zarf ku sipas burimeve policore i kërkohej të paguante një shumë prej 100 milionë lekesh të vjetra, në rast të kundërt do t’i kushtonte jetën.

Pas marrjes së kësaj letre, biznesmeni ka njoftuar në polici, ndërsa tre personat e kishin marrë në telefon me numër të panjohur, duke e kërcënuar përsëri.

Ka qenë kjo telefonatë që kanë bërë që tre personat të identifikohen dhe me pas të arrestohen në flagrancë, në momentin kur biznesmeni u deklaroi vendin ku duhet t’i çonte paratë.

Në momentin e arrestimit policia e Lushnjës gjeti në automjetin e tyre dy armë të tipit kallashnikov dhe një sasi fishekësh. Gjithashtu, policia e Lushnjës thotë se po heton për ngjarje të tjera kriminale që mund të kenë lidhje tre të arrestuarit.

Top Channel