
Këngëtarja amerikane Lady Gaga ka sulmuar Rusinë, duke e cilësuar qeverinë e këtij vendi si “qeveri kriminale” dhe duke shprehur mbështetjen për homoseksualët.
Lady Gaga, emri i vërtetë i të cilës është Stefania Germanota, ka reaguar ndaj lajmeve se qeveria e Moskës ka nisur hetimet për një pasaktësi në vizën që i është dhënë këngëtares për koncertet në Rusi.
Për rrjedhojë, ajo ka sulmuar në Twitter: “Rusi, përse nuk më arrestove kur e kishe mundësinë? Ndoshta sepse nuk doje t’i jepje llogari botës?”. Ndërsa për homoseksualët rusë ajo ka shkruar: “Nuk janë vetëm. Do të luftojmë për lirinë e tyre”.
Lady Gaga akuzohet se ka mbajtur koncerte në Rusi e pajisur vetëm me një vizë turistike, gjë që bie ndesh me ligjin lokal. Për rrjedhojë, ajo rrezikon të përballet me akuza zyrtare dhe aksione ligjore nga ana e Ministrisë së Jashtme ruse ose Shërbimit rus të Emigracionit.
Një çështje kjo që rrezikon të rrisë tensionet mes Uashingtonit dhe Moskës, pas azilit politik që kjo e fundit i dha ish-teknikut të CIA-s Edward Snowden, që bëri publik programin e përgjimeve të SHBA.
Ndërkohë, me të njëjtat akuza nga qeveria ruse përballet edhe këngëtarja tjetër e famshme amerikane, Madonna, e cila në disa raste ka shprehur mbështetjen për grupin Pussy Riot, anëtaret e të cilit mbahen të burgosura në Rusi pasi kënduan një këngë në kishë kundër regjimit të Putin.
Top Channel