Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të martën në Bruksel bisedimet për çështjen e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, ndërkohë që dje u mbajt takimi i grupit punues për zgjedhjet.

Në axhendën e këtij takimi ishte përcaktimi i rolit lehtësues të OSBE-së në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës, të cilat do të mbahen më 3 nëntor 2013, çështja e votimit nga jashtë Kosovës sipas ligjit për zgjedhjet dhe aspektet që ndërlidhen me azhornimin e listës së votuesve për katër komunat e pjesës veriore, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ky takim.

Një tjetër pikë e këtij takimi ishte edhe aspekti i informimit dhe sensibilizimet me qëllim të pjesëmarrjes sa më masive të qytetarëve të Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit, ku për herë të parë qytetarët serbë të asaj pjese do të votojnë për institucionet legjitime të shtetit të Kosovës.

Në këtë kuadër është me rendësi të veçantë informimi për metodën e votimit nga jashtë Kosovës, përfshirë për personat e zhvendosur, KQZ në bashkëpunim me OSBE-në janë dakorduar që të organizohen fushata informuese për proçedurat e votimit dhe pjesëmarrjen në zgjedhje.

Sa i përket listës së votuesve, pala kosovare ka njoftuar se ajo është duke u finalizuar dhe se do të jetë gjithëpërfshirëse dhe synon në ofrimin e të drejtës për të marrë pjesë në zgjedhje të gjithë qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote dhe pa dallime, sipas ligjit në fuqi të Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare.

Top Channel