Itali, sekuestrohet drogë

06/08/2013 00:00

Rojet financiare të Portit te Ankonës, në bashkëpunim me Agjencinë e Doganave sekuestruan një ngarkesë droge të sjellë nga Greqia me një automjet me targë shqiptare.

16 kilogramët e marijuhanës, të ndara në 14 pako dhe me një vlerë prej 160 mijë eurosh ishin fshehur në një fund të dyfishtë të krijuar nën makinë.

Drejtuesi i automjetit, një shtetas shqiptar identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, ndodhet i mbyllur në burg me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Vetëm në ditët e para të gushit në portin e Ankonës janë arrestuar tre korrierë shqiptarë droge dhe janë kapur mbi 400 kilogramë marijuhanë në tre operacione të ndryshme.

Përveç 16 kilogramëve të kapura ditën e hanë, një ngarkesë prej 18 kilogramësh u kap pak ditë më parë e fshehur brenda një bombole gazi, ndërsa në një kamion i ardhur bosh nga Shqipëria u gjetën 380 kilogramë marijuhanë.

E fshehur në panelet që vishnin mbulesën e kamionit, lënda narkotike u zbulua falë nuhatjes së qenve antidrogë. Pas katër orësh pune për çmontimin e paneleve, nga to u nxorrën 224 pako drogë që në treg arrijnë një vlerë prej mbi 3 milionë eurosh.

Top Channel