Pas 6 vitesh punë, me ndërprerje të shpeshta, ruajtja dhe restaurimi në Hamamin e Prishtinës, më në fund, ka arritur në fazën e suvatimit final.
I shoqëruar me pezullime të punës dhe debate, në lidhje me cilësine e punimeve, as edhe në këtë fazë të punës, nga jashtë nuk vërehen elementë të kulturës otomane, së cilës i takon ky monument historik i shekullit të 15-të.
Në kohën kur ekipi i Top Channel vizitoi Hamamin, përveç punëtorëve që suvatonin, nuk takuam asnjë zyrtar, mbikqyrës apo ekspert të kësaj fushe.
Drejtoresha e Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Kosovës, institucion i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, Gjejlane Hoxha, duke e konsideruar si shqetësuese gjendjen momentale të Hamamit të Prishtinës, akuzon Departamentin për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, se në gjithë këtë projekt ka shkelje të mëdha ligjore, kryesisht në aspektin arkitektonik.
Por, drejtoresha për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u shpreh e kënaqur me punën e deri tanishme, e cila – sipas saj – po inspektohet dhe menaxhohet nga një komision profesional.
Ndërprerja e punimeve, për herë të fundit, ndodhi më 7 shkurt 2013, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shkak të analizave të llaçit të vjetër, që ka qenë aty, dhe llaçit të ri, i cili u vendos në muret e objektit, dhe me përmirësimin e kërkesave të komisionit, sipas zonjës Aliu, rifilluan punimet, për të cilat ende nuk dihet koha e përfundimit.
Top Channel