Në emër të Forumit të Trashëgimisë Kulturore, Artan Lame i bën thirrje Ministrit të Kulturës, Visar Zhiti të mos firmosë heqjen nga lista e Monumenteve të Kulturës të Kendit të Lodrave “7 xhuxhat” në kryeqytet.

“Çdo objekt që hiqet nga kjo listë hiqe vetëm dhe ekskluzivisht për dy arsye, ose ka një urdhër politik, sic ishte rasti i vendimit që mori po zoti Baçe, që ishte po ai që e kishte vendosur, për të hequr nga kjo listë Piramidën, ose për para. Pra ndërtues që paguajnë ministrin e radhës, drejtorin e radhës për të hequr nga lista një objekt për të ndërtuar. Në këtë rast do t’i bëja thirrje zotit Zhiti, ministër në detyrë, që nëse nuk ka urdhër politik për të firmosur paçavure të tilla, si kjo që paraqet zoti Baçe dhe nëse nuk ka marrë para për ndonjë nga këto objekte që paraqet zoti Baçe, të mos bëhet pjesë e këtij krimi që po vazhdon t’i bëhet kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Tiranë”, tha Lame.

Lame argumenton se si ky kend lojrash është përfshirë në listën e Monumenteve të Kulturës dhe se një status i tillë fitohet e nuk hiqet sipas dëshirës, aq më tepër kur i njëjti drejtor ka firmosur që ky objekt të përfshihet në listë dhe po ai firmos për ta hequr.

“Në vitin 2000 u bë shpalla e qendrës së Tiranës ansambël monument kulture. Në atë kohë ka qenë Ministër i Kulturës, kryeministri i zgjedhor, zoti Rama. Të gjithë objektet brenda këtij ansambli do të shpalleshin Monument Kulture. Në vitin 2007 me një urdhër të…në atë kohë ka qenë ministër zoti Leskaj u shpallën një për një 108 objekte brenda këtij ansambli u shpallën Monument Kulture. Të mos harrojmë se këtë listë e ka përgatitur vetë Instituti i Monumenteve të Kulturës që në atë kohë ka qenë drejtor zoti Baçe, dhe po nga zoti Baçe, pesë vjet pasi e ka shpallur këtë listë, sot bën lista për të hequr nga Monument Kulture. Një Monument Kulture kur shpallet shpallet me një status të pakthyeshëm. Pra nuk mundet që të themi sot ja japim statusin, nesër ja heqim. Statusi i monumentit jepet për disa arsye dhe ose duhet të zhduken këto arsye, ose nuk duhet të hiqet statusi, kështu që nuk ka si mund të thojë zoti Baçe që dje mendova se duhej të ishte, sot mendoj që nuk duhet të jetë!”, deklaroi më tej zoti Lame.

Por në fakt  çfarë bën që Kendi i Lodrave të përfshihet në listën e Monumenteve të Kulturës?

“Në kohë kur është vënë, ka patur dy arsye. E para sepse ajo që quhet sot “7 Xhuxhat” më përpara ka qenë Lulishtja e Rrugës së Elbasanit, kufizonte zonën e mbrojtur të Tiranës dhe kishte një logjikë që edhe gjithë brezi rrethues i zonës së mbrojtur të Tiranës nuk mund të kishte zhvillime të pakontrolluara sepse ishte fasada që rrethonte zonën e mbrojtur dhe e dyta sepse aty ka qenë shtrati mesjetar i Lumit të Lanës. Është i vetmi segment i mbijetuar i shtratit origjinal të Lumit të Lanës përpara sistemimeve moderne”, deklaroi Lame.

Top Channel