Bengazi, lindin akuzat e para formale

06/08/2013 23:50

Autoritetet federale, të cilat janë marrë me hetimin e sulmit vdekjeprurës në konsullatën e SHBA-ve në Bengazi, kanë akuzuar formalisht Ahmed Abu Khattalah, lider i milicisë libiane, që sipas zyrtarëve amerikanë besohet të jetë përfshirë në ofensivën.

Lajmi bëhet i ditur nga njerëz të informuar mbi hetimin. Akuzat e sapo formalizuara janë të parat akuza penale, të dala nga hetimet e incidentit.

Hetimi i sulmit të 11 shtatorit të kaluar, ku mbeti i vrarë ambasadori Christopher Stevens dhe 3 shtetas të tjerë amerikanë, do të vazhdojë, teksa prokurorët do të përpiqen të ndërtojnë rrjedhën e ngjarjeve kundër Khattalah dhe të tjerëve, që sipas autoriteteve janë përfshirë në të.

Prokurori i përgjithshëm, Eric Holder, kishte premtuar ndaj ligjvënësve në Kongres, në fillim të këtij viti, se Departamenti i Drejtësisë do të bënte shumë shpejt publike veprimet e ndërmarra.

Ndërkohë që përvjetori i sulmit është pak më shumë se 1 muaj larg, Departamenti i Drejtësisë është kritikuar për mungesën e progresit publik mbi këtë ngjarje. Ligjvënësit republikanë kanë kërkuar më shumë hapa agresive, sidomos nga drejtori i ri i FBI-së, James Comey.

Por, njerëz të afërt me këtë çështje thanë se hetimet kanë bërë përparim të ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Akuzat e para janë formalizuar në një padi të dorëzuar në New York, sipas burimeve të kësaj çështjeje.

Departamenti i Drejtësisë dhe FBI refuzuan të komentonin mbi të, pasi të dyja këto agjenci e kanë të ndaluar të diskutojnë për çështje, që janë ende në hetim e sipër dhe presin krijimin e akuzave formale.

Top Channel