Një aksident i rëndë rrugor është verifikuar mëngjesin e së hënës në qarkun e Shkodrës, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen dy persona.
Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave viktimat janë bashkëshortët Hysni dhe Maje Brahimi, të cilët po udhëtonin me një veturë kur janë përplasur nga një kamion.
Sipas burimeve, kamioni e ka përplasur automjetin me targë “SH 9726 C” teksa dilte nga një kthesë, duke mos zbatuar kështu parimin e përparësisë.
Për rrjedhojë çifti ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa djali i tyre, 26-vjeçari Dritan Brahimi ka mbetur i plagosur. Ndërkohë, shoferi i kamionit, shtetasi Skënder Zalli ështe ndaluar nga uniformat blu.
Agjentët e policisë rrugore dhe zjarrfikësit që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë vënë nën kontroll situatën, ndërkohë që priten hetime të mëtejshme.
Aksidenti i së hënës vjen pas atyre të ndodhur ditën e diel. Dalja nga rruga e një mjeti tip “Citroen” i kushtoi jeten një të riu 23-vjeçar, ndërsa dy të tjerë u plagosën.
Aksidenti ndodhi në orët e para të mengjesit, në superstradën e pagëzuar me emrin si “superstrada e vdekjes”, Lezhë-Fushë Krujë. Viktimë e aksidentit mbeti 23-vjeçari Blerim Bardhoku, nga Lezha, ndërsa dy të plagosurit ishin Roland Bitri dhe Teodor Përlleshi.
Pas ndihmës së parë në spitalin e Lezhës, dy të rinjtë u dërguan për ndihmë më të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tirane. Ngjarja ndodhi kur mjeti “Citroen” me targa “AA 789 C” doli nga rruga dhe u përmbys në një kanal.
Ndërkohë, në një tjëtër aksident rrugor, gjatë orëve të pasdites së ditës së diel, në aksin rrugor Korçë-Kapshticë, një tjetër person humbi jetën.
Mjeti me targa greke, me të cilin po udhëtonin dy persona, drejtuesi dhe një i afërm i tij, ishte duke lëvizur me shpejtësi të madhe e për pasojë doli nga rruga. Nga përplasja humbi jetën drejtuesi i mjetit, 26-vjeçari Gentian Beqiri, ndërsa i afërmi i tij shpëtoi pa dëmtime.
Top Channel