Policia e Kosovës njoftoi se ndaloi zhvillimin e një gare të paligjshme në autostradën e Kosovës “Ibrahim Rugova”.

Sic njoftohet në një komunikatë të policisë, kjo garë e planifikuar nga një grup personash pritej të mbahej në kilometri 52-të i autostradës, e  në të cilën ishin grumbulluar mbi  100 automjete të ndryshme udhëtarësh, kryesisht automjete të reja dhe të shpejta.

Për të përcjellë këtë garë automobilistike të organizuar në mënyrë të kundërligjshme, në autostradë ishin grumbulluar rreth 150 qytetarë të rajoneve të ndryshme.

Njësitet policore të komunikacionit rrugor të asistuar nga njësitet policore te stacionit të Malishevës kanë arritur të parandalojnë mbajtjen e kësaj gare dhe njëherazi të largojnë automjetet nga autostrada.

Zhvillimet garave të kundërligjshme me automjete janë rreptësisht të ndaluara në bazë të ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor në Kosovë. Në bazë të këtij neni për kundërvajtje kryerësi dënohet me gjobë nga 130 deri në 400 euro. Drejtuesi i automjetit i ndalohet e drejta për t’i dhënë makinë, nga gjashtë muajsh deri në një vit.

Top Channel