Dikur ishte një nga zonat më të pëlqyera për plazh, ndërsa sot është shndërruar në një lagunë.

Bëhet fjalë për Patokun, një perlë natyrore, e cila vjen në shërbim të të apasionuarve pas lagunave, apo edhe atyre që dëshirojnë të shijojnë freskinë e produkteve të detit. E nuk janë të paktë vizitorët që, veç natyrës, thonë se shijojnë ushqimin e kësaj zone.

Por, në Patok, që ndodhet vetëm 6 km nga autostrada Tiranë – Kurbin, dikur ka gjalluar edhe plazhi dhe numri i turistëve, që e kanë vizituar, ka qenë mjaft i lartë.

Kjo ndryshoi në vitet e para të demokracisë, kohë kur një kthim i grykëderdhjeve të lumit të Drojës dhe Matit, e shndërruan këtë zonë në një lagunë.

Ndërsa, duke parë në brigjet e Patokut, ata që nuk e kanë njohur, e kanë të vështirë të besojnë se këtu ekziston edhe mundësia për plazh.

Gjatë një udhëtimi me varkë, syri lehtësisht të zë disa ndërtesa, të cilat janë dëshmi e të shkuarës së artë të plazhit të Patokut.

Pas 15 minutash, mbërrin në bregun tjetër, atje ku brezi ranor vërteton ekzistencën e këtij plazhi, por që grykëderdhjet e lumenjve e kanë shndërruar në një zonë me prani të lartë të mbetjeve të drunjta.

E megjithatë, me një ndërhyrje shumë të vogël, ky brez ranor mund të ishte një destinacion i këndshëm për pushuesit ditor. Por, për të arritur këtë, fillimisht duhet që për vizitorët të krijohet mundësia e lëvizjes me varkë, ose në mënyrë tokësore.

Dikur ka ekzistuar një urë e drunjtë, por sot ajo është e shkatërruar, ndërsa banorët e zonës, të cilët e shfrytëzojnë për plazh këtë pjesë, arrijnë atje vetëm nëpërmjet varkave.

Ndonëse hapësira është e vogël, me një sipërmarrje për pastrimin e saj, e cila do kërkonte vetëm pak angazhim, atëherë Patoku do të ofronte edhe plazhin dhe lagunën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA