Vetëm brenda një muaji, 10 persona kanë vdekur në aksidente rrugore në Kosovë. Shifrat janë zyrtare, të publikuara nga Policia e Kosovës, dhe i takojnë muajit korrik të këtij viti. 4 viktima më shumë ishin shkaktuar në të njëjtën përiudhë të vitit të kaluar.

Po sipas Policisë, gjatë korrikut të 2013-s janë shënuar 469 aksidente me të lënduar, kurse në 1532, për fat të mirë, nuk ka pësuar askush lëndime.

Muaji korrik ka qenë i ngarkuar për Policinë e Kosovës, edhe në shqiptimin e rreth 29 mijë gjobave të trafikut.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se shkaktarët kryesorë të aksidenteve janë tejkalimi i shpejtësisë dhe mosrespektimi i shenjave të qarkullimit rrugor. Kelani ka bërë apel, që të shtohet kujdesi gjatë kalimit nëpër rrugë.

“Të kemi një sensibilizim të opinionit, një bashkëpunim më të fortë dhe një angazhim të të gjitha institucioneve, që kanë të bëjnë me sigurinë në qarkullimin rrugor, duke përfshirë edhe vetë policinë. Dhe, si një faktor i rëndësishëm, vetë qytetarët të shtojnë kujdesin, të respektojnë shenjat e qarkullimit rrugor”, u shpreh Baki Kelani.

Në anën tjetër, sipas partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, numri i aksidenteve është rritur shumë dhe ky duhet të jetë një alarm për Qeverinë, Policinë, kontrollin teknik të automjeteve dhe vetë drejtuesit e automjeteve.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka paraqitur disa rekomandime se çfarë duhet bërë për të ulur numrin e aksidenteve në qarkullim:

“1- Rritja e numrit të patrullimeve nëpër rrugë nga Policia e Kosovës. 2- Mirëmbajtja e rrugëve nga Qeveria e Kosovës. 3- Fushata sensibilizuese për shoferët. 4- Hartimi i strategjisë dhe planit të veprimit për siguri në qarkullim nga Qeveria e Kosovës. 5- Amendimi i ligjit mbi sigurinë në qarkullimin rrugor, i miratuar në vitin 2007, i cili nuk është plotësuar apo ndryshuar asnjëherë deri më sot”, theksoi Burim Ramadani.

Deklaratat e AAK-së nuk kanë dashur t’i komentojnë në Policinë e Kosovës. Zëdhënësi i saj, Kelani, ka thënë se Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në Planin Strategjik Zhvillimor 2011-2015, ka vënë në zbatim planin e sezonit veror, që – sipas tij – ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve në vendet, ku është parë e nevojshme prezenca e zyrtarëve të policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA