Kryediplomati kosovar ka shkarkuar nga detyra e zv/ambasadorit në Kroaci Urtak Hamitin djalin e nënkryetarit të kuvendit nga radhet e LDK-së Sabri Hamitit.

Shkarkimi i Hamitit erdhi pasi ai ishte arrestuar nga policia kroate në Zagreb në gjendje të dehur.

Nga pamjet që qarkulluan të filmuara nga mediat kroate fillimisht shihet një person i rrëzuar përtokë në gjendje të dehur e i rrethuar nga policë ndërkohë në krah qendron një automjet me targa diplomatike i aksidentuar.

Sipas përshkrimit të mediave kroate zyrtari kishte terrorizuar njerëzit në rrugët e Zagrebit me sjellje të pakontrolluara me veturën e tij zyrtare. Dëshmitarët thanë se ai goditi disa vetura që ndodheshin në parking, dhe ata e ndaluan dhe e mbajtën derisa erdhi policia për ta arrestuar. Dëshmitarët i thanë policisë se zyrtari kosovar ishte aq i dehur saqë nuk mund të qëndronte në këmbë.

Fillimisht kjo u mohuar nga ambasada kosovare në Kroaci por, disa orë më vonë ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës  përmes një note proteste të pranuar nga autoritetet e Republikës së Kroacisë është informuar se diplomati Urtak Hamiti, ka kryer sjellje jo dinjitoze dhe jo profesionale, gjatë misionit në Kroaci.

“Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas kësaj ankese, ka vendosur tërheqjen e menjëhershme të diplomatit Hamiti nga misioni në Kroaci, dhe kthimin e tij në Prishtinë. Ministri Hoxhaj po ashtu ka iniciuar krijimin e një komisioni në kuadër të MPJ-së, i cili do të shqyrtojë në tërësi rastin. MPJ i ka shprehur keqardhje autoriteteve të Republikës së Kroacisë, pas ankesës për sjelljen jo dinjitoze të diplomatit të saj në kuadër të Ambasadës së Kosovës në Zagreb”, thuhet ne komunikaten e MPJ-se.

Top Channel